Një anije, e cila dyshohet se bart një sasi të madhe të mbetjeve të rrezikshme, u ankorua të premten në portin kryesor të Shqipërisë, ku prokurorët kanë urdhëruar që përmbajtja e saj të kontrollohet dhe testohet.
Anija me flamur turk, Moliva XA443A, ishte mbajtur në një liman rreth 1.5 kilometra larg portit të Durrësit, derisa autoritetet e gjetën një hapësirë në port për vendosjen e kontejnerëve të saj, thanë zyrtarët e portit dhe zyra e prokurorit.
Kontejnerët pritet të dërgohen në një agjenci në Porto Romano, rreth 6 kilometra larg.
Para 10 ditëve, prokurorët urdhëruan që kontejnerët të konfiskoheshin dhe të ruheshin “në një vend të sigurt” për monitorim.
Zyra e prokurorit u ka kërkuar institucioneve të ndryshme të kryejnë teste të ndryshme laboratike për materialin që përmbajnë kontejnerët.
Dyshimet për mbetje të rrezikshme në këtë anije, e cila u nis nga Shqipëria drejt Tajlandës, ngriti fillimisht Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN). Jim Puckett, kreu i BAN-it, tha për gazetarët në Durrës më 28 tetor se në anije janë “2.102 tonë mbetje të rrezikshme”.
“Ka pasur shumë deklarata kontroverse për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme, ndërsa ne themi që jemi 95 për qind të sigurt që janë”, tha Puckett.