Ballkani-dhe-Malisheva-ne-krye-te-tabeles-pas-fitores

Ballkani dhe Malisheva në krye të tabelës pas fitoreve të shënuara

Ballkani dhe Malisheva kanë arritur fitore të rëndësishme në ditën e fundit të xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës.

Kampioni në fuqi fitoi si mysafir i Ferronikelit me rezultat 1:4.

Autogoli i Bujar Shabanit në minutën e 15-të dhe goli i Sunday Adetunjit dy minuta më vonë, ia dhanë epërsinë e dyfishtë klubit portokall e zi.
Feronikeli u mundua të kthehej në lojë në pjesën e dytë, dhe arriti të shënojë për 1:2 përmes Suad Sahitit i cili realizoi nga pika e bardhë në minutën e 51-të.

Mirëpo, ylli brazilian i suharekasave, Queven, e rikuperoi avantazhin e dyfishtë për mysafirët në minutën e 72-të, teksa Bernard Karrica e dha golin e katërt për Ballkanin në lojën shtesë.

Në anën tjetër, Malisheva ka triumfuar 2:1 ndaj Llapit, falë dy golave të Valmir Berishës në minutat 8’ dhe 29’.

Llapi ngulmoi në pjesën e dytë dhe arriti ta ngushtojë epërsinë e Tornadove në minutën e 68-të përmes Mërgim Cernavernit, por me kaq mbaruan golat.

Me këto tri pikë, Ballkani ngjitet në vendin e parë e Malisheva në të dytin me pikë të njëjta, gjithsej 22.

Scroll to Top