Qeveria ka miratuar të mërkurën Projekt-buxhetin për vitin 2025, që kap shifrën prej 3 miliardë e 608 milionë euro. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky buxhet është për të gjithë, duke theksuar se krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar, rritja është për rreth 300 milionë euro.
Kurti ka folur për rritjen e pagave, duke thënë se në buxhetin e vitit të ardhshëm parashihet rritja e pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Kjo, thotë ai e sjellë pagën mesatare në sektorin publik për vitin 2025 në 870 euro bruto.
Kurti ka thënë se në buxhet parashihen gjithashtu 100 milionë euro shtesë për të mbuluar rritjen e pensioneve prej 20%, si dhe 60 milionë euro shtesë për skemën e shtesave për fëmijë.
Ai ka thënë se për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për sigurimin e barnave esenciale dhe materiale tjera të nevojshme shëndetësore, janë ndarë 105 milionë euro.
87 milionë euro tjera i kemi planifikuar për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes, që do të shkojnë në municion, pajisje e furnizime të nevojshme ashtu që policia dhe ushtria jonë t’i kryejnë detyrat me efikasitet të plotë. Ndërkaq buxheti i përgjithshëm për Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë vitin tjetër do të jetë që në fillim në nivel të 2% të Bruto Produktit Vendor, sipas standardit të NATO-s. Me shtesat përgjatë vitit do ta tejkalojë vlerën prej 208 milionë euro.
Investment kapitale në vitin 2025 do të jenë në vlerë rekorde prej 930 milionë euro. Komunat do të kenë më shumë buxhet se që kanë pasur ndonjëherë. Bujku do të vazhdojë të jetë më i mbështeturi në rajon me subvencione dhe grante. E linja buxhtore për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin vitin tjetër do të jetë katër milionë euro, duke vazhduar kështu rritjen e përvitshme të mbështetjes sonë për bashkatdhetarët tanë në Luginë.
Të gjitha këto në përputhje me rregullën fiskale të kufirit të deficitit buxhetor dhe duke e miratuar buxhetin në qeveri për vitin e katërt me radhë brenda afatit ligjor, pra para datës 31 tetor.