Aleksandra Tomaniq drejton “European Fund for the Balkans”, një fondacion rajonal me seli në Beograd. Kur planifikon një aktivitet në Sarajevë, ajo duhet të mendohet dy herë, para se të ftojë edhe pjesëmarrës nga Kosova.
“Për kosovarët, udhëtimi është i ndërlikuar dhe kërkon shumë kohë, pasi ata duhet fillimisht të udhëtojnë në Shkup për të aplikuar për vizë. E njëjta gjë vlen edhe për boshnjakët që duan të udhëtojnë në Kosovë”, thotë Tomaniq, pa e fshehur zhgënjimin që regjimi i vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës është ende në fuqi.
Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte shpallur më parë një “pauzë zgjerimi”.
Analisti gjerman nga Berlini, Bodo Weber, sheh një ndikim pozitiv nga takimet e përvitshme të këtij procesi. “Takimet e rregullta të liderëve dhe ministrave janë bërë normalitet”, thotë ai në një intervistë për DW. Kjo ka ndihmuar që perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së të mbetet e gjallë.
Shumë probleme në Procesin e Berlinit nuk diskutohen për të arritur kompromise. “Në Serbi, strukturat demokratike vazhdojnë të degradohen dhe presidenti Vuçiq po përdor konfliktin me Kosovën për të forcuar kontrollin e tij politik”, kritikon Tomaniq. Vuçiq nuk lejon që kritikët e regjimit nga vende të tjera të hyjnë në vend dhe ka dobësuar median dhe lirinë e shprehjes.
Projekti kryesor i procesit të Berlinit: Tregu i Përbashkët Rajonal, mbetet ende jo funksional. Shkak është konflikti i pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës.
Në dhjetëvjetorin e tij, Procesi i Berlinit synon të arrijë një marrëveshje të re: CEFTA. Marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë do të lidhë më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së.
Ministrja e jashtme, Annalena Baerbock, në takimin përgatitor të ministrave të Jashtëm, e quajti këtë një “hap historik” për rajonin.