Analiza e REL: Nga aleanca tek interesi, Kosova si destinacion i investimeve amerikane

Koha e parashikuar e leximit: 5 minuta

18 korrik 2025

Energjia, mbrojtja dhe inovacioni digjital janë sektorë ku bashkëpunimi Kosovë-SHBA mund të sjellë përfitime të ndërsjella, por vetëm atëherë kur Kosova t’i mirorganizojë proceset e saj të brendshme.

Ekspertët e çështjeve ekonomike shpjegojnë se një mjedis ligjor dhe ekonomik i qëndrueshëm, larg burokracisë dhe papërgjegjshmërisë, është thelbësor për të tërhequr investitorët amerikanë dhe për të garantuar mbrojtjen e tyre.

Kjo qasje duket se përkon edhe me një orientim të ri të Kosovës – së paku sipas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani.

Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, ajo ka thënë se Kosova është shumë e interesuar për një lloj të ri marrëdhënieje me SHBA-në, që do të bazohet më shumë në interesat ekonomike, dhe ka veçuar energjinë, mbrojtjen dhe teknologjinë informative si fusha kyçe për zhvillim të përbashkët.

Pas kthimit, ajo ka thënë se ka marrë konfirmimin se Shtetet e Bashkuara e shohin Kosovën si një aleate strategjike.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar se ku e sheh SHBA-ja potencialin më të madh për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Por, sipas Arian Zekës, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, mundësitë kryesore janë në mbrojtje dhe siguri, në ndërtimin e infrastrukturës së gazit për uljen e kostove të energjisë dhe në zhvillimin e ekonomisë digjitale, përfshirë sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale.

Midis potencialit dhe pengesave

Ai numëron disa arsye që, siç thotë, e bëjnë Kosovën partnere të rëndësishme strategjike për SHBA-në dhe destinacion tërheqës për investime – mes tyre: pozicioni gjeografik i Kosovës, fuqia e saj punëtore e re dhe e arsimuar dhe politikat fiskale konkurruese.

Por, përkundër këtij potenciali, ka edhe pengesa serioze që mund ta frenojnë interesimin e investitorëve amerikanë.

Zeka thekson se reformat duhet të vazhdojnë, pasi institucionet e vendit janë ende të reja dhe korniza ligjore mbetet e brishtë.

Kjo, sipas tij, shpesh shkakton vendimmarrje të pasaktë ose të ngadaltë, ndërkohë që mjedisi global ndryshon me shpejtësi.

“Kosova duhet të angazhohet më tej në forcimin e sundimit të ligjit, në shmangien e veprimeve që mund të rrisin paparashikueshmërinë juridike, si dhe në rritjen e mbrojtjes së investitorëve, përmes përmirësimit të efikasitetit të gjykatave”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Në një linjë të ngjashme, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shpreh shqetësim se pa reforma të thella – në sundimin e ligjit, arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera – besimi i investitorëve amerikanë do të mbetet i vakët.

Ai thekson gjithashtu se diplomacia ekonomike – si promovim aktiv i interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare – është thelbësore për të tërhequr investime dhe për të fituar besimin e partnerëve të huaj.

“Politika duhet të bashkëpunojë me Departamentin amerikan të Shtetit dhe me Shtëpinë e Bardhë, duhet ta rregullojmë imazhin e vendit, të dëshmojmë se Kosova nuk është shtet problematik në Ballkan, por shtet i stabilitetit”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Përplasje narrativësh
Këtë muaj, dy institucione të rëndësishme financiare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e hoqën Kosovën nga Lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë si rezultat të “punës së vazhdueshme dhe të përkushtuar” të qeverisë së tij gjatë katër vjetëve të fundit.

Ekspertët nuk janë dakord me këtë narrativ.

Ata theksojnë se, në disa raste, vetë autoritetet kanë rritur pasigurinë dhe kanë tensionuar klimën e brendshme – “me deklarata të pamatura se do të sulmohemi nga Serbia”, siç shprehet Rafuna.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, kujton se Qeveria e Kurtit – aktualisht në detyrë – ka refuzuar një projekt për infrastrukturën e gazit në vitin 2021, të financuar nga Qeveria amerikane, me arsyetimin se nuk ishte i favorshëm ekonomikisht.

Ai thotë se Kosova duhet të ketë një qeverisje më dinamike dhe një treg më të hapur, me më pak burokraci dhe më shumë pragmatizëm në qasjen ndaj investitorëve – “pa iluzione se ata do të vijnë vetë”.

“Kosova nuk mund t’i ofrojë shumë SHBA-së. Ajo çfarë mund të bëjë është që, sa herë të ketë një propozim të caktuar – siç ishte rasti me projektin e gazsjellësit – ai nuk duhet lëshuar, por duhet materializuar”, thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.

Me heqjen e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit, Banka Qendrore e vendit (BQK) parashikon rritje të besimit të investitorëve dhe përmirësim të perceptimit për stabilitetin institucional dhe ekonomik të saj.

Investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rritje, duke arritur në mbi 856 milionë euro vitin e kaluar, nga 840 milionë euro në vitin paraprak, sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve.

Brenda këtij totali, investimet nga Shtetet e Bashkuara kanë qenë rreth 87 milionë euro.

Por, sipas ekspertëve, pjesa dërrmuese e tyre është e përqendruar në sektorin e patundshmërisë, e jo në degë që krijojnë vende të reja pune apo nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Scroll to Top