Zbardhet plagosja me armë në Sarandë! Shpallen në kërkim 4 persona

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 korrik 2025

Policia e Sarandës njofton se ka zbardhur dhe dokumentuar plagosjen me armë të dy personave pasditen e djeshme në qytetin bregdetar.  Për ngjarjen janë shpallur në kërkim 4 persona, njëri prej të cilëve Ramadan Zoto, tentoi të vriste me armë zjarri dy të tjerë.

Një nga të plagosurit është vënë në pranga sepse ju gjet një arme. Sulmi me armë ndodhi në një lokal në lagjen 3 në Sarandë.

Policia thotë se ngjarja ndodhi pas një konflikti, por duket se ngjarja është shumë më e komplikuar. Dy të rinjtë që u plagosën ndodheshin prej gjashtë muajsh në Sarandë si pjesë e një grupi truprojash që ruan familjen e një shtetasi që është larguar në Dubai për shkak të një tjetër konflikti që kulmoi me vrasje një prej të cilave në Tiranë me eksploziv disa vite më parë.

Konflikti i ri është për një pjesë plazhi në qytetin e Sarandë, plazh që për katër vite e kishte me qira nga bashkia autori i plagosjes së djeshme.

Para dy muajsh, dy të rinjtë nga Tirana e kishin dëbuar me forcë nga plazhi për të cilin personi që jeton në Dubai kishte bërë një marrëveshje me një familje sarandiote që pretendon pronësinë.

Autori i plagosjes kishte kërkuar kthimin e parave të investimit dhe disa ditë më parë kishte patur konflikt dhe ishte lënduar nga truprojat dhe të enjten me armë në dorë i gjen dhe i qëllon duke i plagosur të dy të rinjtë që tashmë ndodhen jashtë rrezikut në spitalin e traumës në tiranë.

Scroll to Top